Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka shprehur ngushëllimet e thella për familjet e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e prekur nga tragjedia e rëndë që goditi qytezën e Koçanit.
“Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane është thellësisht i pikëlluar nga lajmi i zjarrit shkatërrues në Koçan, i cili ka marrë jetën e shumë të rinjve në mënyrë tragjike. I shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve të viktimave dhe popullit të Maqedonisë në këtë kohë tepër të vështirë.
Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që janë në pikëllim për humbjen e të dashurve të tyre dhe me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Në këtë kohë zie kombëtare, ne solidarizojmë me ju. Sot jemi të gjithë të bashkuar në pikëllim” thuhet në deklaratën e Këshillit.
Tragjedia ndodhi pasi një zjarr shkatërrues përfshiu një diskotekë në këtë qytet të vogël në lindje të Maqedonisë së Veriut, duke marrë jetën e 59 personave dhe duke lënë të plagosur 155 të tjerë. Ngjarja ka tronditur vendin, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuarit dhe për të sqaruar shkaqet e incidentit.
Autoritetet kanë shpallur shtatë ditë zie kombëtare dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie të rëndë.(INA)
Ndiqni linkun për lajmin e plotë: https://ina-online.net/keshilli-per-marredheniet-shqiptaro-amerikane-shpreh-ngushellime-per-tragjedine-ne-kocan/